Me kërkesë të FC Prishtina dhe me qëllim të përkrahjes së klubeve tona për paraqitje sa më të mirë në garat evropiane, përzgjedhësi Bernard Challandes ka vendosur të lirojë nga grumbullimi i paraparë me Kombëtaren katër futbollistët e skuadrës kampione të Kosovës, e cila ka nisur përgatitjet për pjesëmarrje në parakualifikueset e Ligës së Kampionëve.
Kërkesa e klubit ka ardhur pas publikimit të listës dhe disa ditë pasi Federata e Futbollit të Kosovës ua ka dërguar ftesat Gledi Micit, Endrit Krasniqit, Leonit Abazit dhe Lumbardh Dellovës, për dy miqësoret që do të zhvillohen në Antali kundër Guinesë dhe Gambisë.