Presidentja Osmani takon organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve

 

Presidentja Vjosa Osmani, në kuadër të aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ka pritur në takim Grupin e fëmijëve “Respect Our Rights” (ROR) dhe Koalicionin e Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).

Përfaqësues të grupit ROR e kanë njoftuar shefen e shtetit në lidhje me gjendjen e gjithmbarshme të pozitës së fëmijëve në Kosovë, duke kërkuar mbështetje për përmirësimin e mëtejmë të pozitës së tyre.

 

 

Ulja e varfërisë te fëmijët, mbrojtja sociale e tyre, rritja e cilësisë në arsim, zhvillimi në fëmijërinë e hershme dhe parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve, janë çështjet të cilat, përfaqësues të KOMF-it i ngritën në takim me Presidenten Osmani, duke kërkuar angazhim më të madh të shtetit për më të vegjlit.

Në takim me këto dy organizata,  Osmani ka theksuar se përgjatë mandati pesë vjeçar, një nga prioritetet e angazhimit të saj do të jetë pikërisht fusha e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Më tej, ajo ka potencuar se vëmendja ndaj fëmijëve nuk duhet të fokusohet në vetëm një ditë siç është 1 Qershori, por në secilën ditë të vitit.