Disa nga vendet e BE-së nisin vaksinimin antiCovid të fëmijëve

 

Rumania dhe Italia nisin sot vaksinimin e adoleshentëve kundër koronavirusit, duke u bërë vendet e para të Bashkimit Evropian që bëjnë një gjë të tillë.

Komisioni Evropian miratoi të hënën përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech te fëmijët 12 vjeç e lart.

 

Drita jeshile u dha një javë më herët nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA). Tani, secili nga 27 vendet anëtare të BE-së mund të vendosë nëse do ta zgjerojë ose jo fushatën e vaksinimit me përfshirjen e adoleshentëve.

Duke mos humbur shumë kohë, kryeministri rumun, Florin Citu, tha se fëmijët 12 vjeç e lart mund të fillojnë vaksinimin nga 1 qershori. Ngjashëm tha edhe Qeveria e Italisë.

Vendet e tjera në Evropë pritet të ndjekin shembullin, megjithëse disa mund të vazhdojnë t’u japin përparësi në vaksinim të rriturve dhe fëmijëve me probleme shëndetësore, të cilat i bëjnë ata më të cenueshëm nga koronavirusi.

 

 

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja e kanë miratuar më herët përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech te fëmijët 12 vjeç e lart.

Edhe SHBA-ja, edhe Evropa janë të etura për të përshpejtuar tutje vaksinimin, i cili tashmë ka zvogëluar normat e infeksionit dhe ka çuar në rihapjen e ekonomive.

Gjysma e të rriturve amerikanë janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit.

Franca hapi të hënën vaksinimin për këdo që është 18 vjeç e lart. Ky vendim u mor më herët seç ishte planifikuar fillimisht, pasi gati gjysma e popullsisë së rritur franceze ka marrë së paku një dozë të vaksinës dhe më shumë se 20 për qind janë vaksinuar plotësisht.

Nga 7 qershori, edhe Gjermania pritet të hapë vaksinimin për të gjithë të rriturit.

Por, pavarësisht zhvillimeve pozitive në të dyja anët e Atlantikut, koronavirusi mbetet kërcënim i madh në disa vende.

Malajzia nisi sot “izolimin total”, që do të zgjasë dy javë, për shkak të rritjes së numrit të rasteve pozitive dhe viktimave në javët e fundit.

Infeksionet në rritje kanë përfshirë edhe Tajvanin dhe Vietnamin.

 

 

Vietnami planifikon t’i testojë të 9 milionë njerëzit në qytetin e tij më të madh, Ho Çi Minh, ndërsa nga e hëna ka ashpërsuar masat për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Nga sot, aeroporti ndërkombëtar i kryeqytetit Hanoi do t’i pezullojë fluturimet hyrëse nga jashtë, pasi rastet me koronavirus janë dyfishuar muajin e kaluar.

Në Amerikën Latine, Peruja njoftoi se ka dyfishuar numrin zyrtar të viktimave nga koronavirusi, pas aplikimit të kritereve të reja.

Numri i ri në vendin me 32.6 milionë banorë është mbi 180,000.

Nga vendet e Amerikës Latine, vetëm Brazili dhe Meksika kanë raportuar numër më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, që ndjek të dhënat për pandeminë, koronavirusi ka prekur mbi 170 milionë njerëz në të gjithë botën. Mbi 3.5 milionë prej tyre kanë humbur jetën. Numri i vaksinave të dhëna deri më tash ka kaluar 1.8 miliard.

 

\RTV-Okarina\