Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha ka thënë se këtë do të ketë rritje ekonomike, duke shtuar se krejt kjo varet nga sektori privat.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online theksoi se nëse Kosova ofron një paketë investive dhe një siguri ligjore atëherë do të tërheqë investitorë serioz.
“Këtë vit nuk presim që të ketë rënie ekonomike sepse trendi është që do të ketë rritje ekonomike, vetëm nëse ndodh ndonjë mbyllje e re që jam shumë skeptik se mund të ndodhë po sa do të jetë rritja ekonomikë ajo nuk varet komplet nga sektori privat. Sektori privat ka një dinamizëm këtë vit sidomos sektori i prodhimit, eksportet janë duke shënuar rritje që është një rritje e shëndoshë ekonomike”.
“Fatmirësisht edhe importet janë duke shënuar rritje të madhe, por nuk mund ta ndalim tregtinë. Por gjithë kjo do të kompensohet sesa aktive është Qeveria në implementimin e planit investiv për vitin 2021. Duhet të jemi më aktiv në tërheqjen e investimeve të huaja. Kosova ka potencial kemi problem me furnizim nga Kina dhe vendet e largëta aziatike kështu që shumë kompani evropiane janë duke e shikuar Ballkanin si mundësi potenciale për të investuar. Nëse Kosova ofron një paketë investive dhe një siguri ligjore për të investuar në Kosovë atëherë besoj që do të tërheqë investitorë serioz”, shtoi Panxha.
Sipas tij, për t’u kthyer në normalitet në ekonomi Kosovës i duhet dy vjet, ani pse pritjet kjo të ndodh në vitin 2022.
“Duhen së paku dy vjet për tu kthyer në vitin 2019. Shumica e parashikimeve që ka bërë fondi monetare ndërkombëtare dhe banka botërore do të thotë që pandemia na ka kthyer dy vjet mbrapa. Ne presim që të kthehemi në normalitet në fund të vitit 2022. Kjo mund të ndodhë më shpejt sikur të kemi një dinamizëm në Qeveri”.
“Qeveria të jetë më dinamike në implementimin e politikave të veta se kjo i ndihmon sektorit privat. Ka kërkesë për produktet e Kosovës nga BE-ja dhe Amerika. Ne duhet të kemi një kornizë ligjore adekuate të kemi implementim të ligjeve dhe e vetmja kjo mënyrë mund të tërheq investimet e huaja sepse edhe kjo do ta rrit ekonominë më shpejt”.
\RTV-Okarina\