Kurti sot pret në takim kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet sot me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

 

“Po, do të marr pjesë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ndryshe, Kurti dje ka pritur në takim kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn. Pas takimit, Haradinaj tha se folën për dialogun e Kosovës me Serbinë.

“Tema ishte dialogu. Me datën 6 maj të këtij viti i kam dërguar një letër Kryeministrit dhe kam kërkuar një takim për çështjen e dialogut, ku i kemi shprehur disa nga shqetësimet tona për dialogun. Në takim kemi dëgjuar disa qëndrime të Kryeministrit rreth dialogut, njëkohësisht kam shprehur disa qëndrime por edhe shqetësime të Aleancës, rreth dialogut. Ajo që hetojmë është një mungesë e prezencës e SHBA-së në dialog.

 

 

Mendojmë se kjo është situatë jo e mirë për Kosovën, e prish balansin e interesave të Kosovës në dialog. Do të ishte me dobi emërimi i një emisari për dialogun nga Amerika. Po e shohim se peshën kryesore në dialog e ka Lajçak, por që është nivel i ulët i përfaqësimit për agjendë, pra nuk janë liderët. Nuk shihet një agjendë e plotë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, në takim me Kurtin s’do të marrë pjesë kryetari i PDK-së Enver Hoxhaj.

 

\RTV-Okarina\