Australia do ta mbyllë ambasadën e saj në kryeqytetin e Afganistanit

 

Australia do të mbyllë ambasadën e saj në Kabul, kryeqytetin e Afganistanit.

Kështu kanë njoftuar të martën Kryeministri i Australisë, Scott Morrison dhe Ministrja e Jashtme, Marise Payne.

“Ne do të mbyllim ndërtesën e Ambasadës tonë në 28 maj 2021”, kanë shkruar ata, duke shtuar se ky vendim do të jetë i përkohshëm dhe sapo të krijohen rrethanat e përshtatshme, ata do të hapin ambasadë të përhershme në kryeqytetin afgan.

Zyrtarët austrialianë po e cilësojnë Afganistanin si një vend gjithnjë e më pak i sigurt, njofton BBC.

 

 

Sipas tyre, ekziston frika se tërheqja e forcës së NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të mund të zhysë Afganistanin përsëri në një luftë tjetër.

Ndonëse ambasada në Kabul do të mbyllet, sipas krerëve të Australisë, kjo e fundit do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në marrëdhëniet dypalëshe me Afganistanin.

Gjatë dy viteve të fundit, Australia ka zvogëluar numrin e trupave të saj në Afganistan nga një mijë e 500 në rreth 80 të tillë.

Në muajin prill, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se trupat amerikane do të largoheshin deri më 11 shtator, pas 20 vjetëve prezencë ushtarake në Afganistan.

Zyrtarët amerikanë dhe të NATO-s kanë thënë kohët e fundit se talibanët, deri më tani nuk kanë arritur të përmbushin zotimet e tyre për të zvogëluar dhunën në Afganistan.

Në marrëveshjen e nënshkruar në shkurt të vitit të kaluar, parashihet që SHBA dhe aleatët e saj të NATO-s do të tërhiqnin të gjitha trupat në 14 muaj, nëse talibanët mbështesnin premtimet e tyre , duke përfshirë mos lejimin e Al-Kaidës ose militantëve të tjerë për të vepruar në zonat që SHBA kontrollonte dhe duke vazhduar bisedimet për paqen kombëtare.

 

\RTV-Okarina\