QKUK pranon një donacion nga EULEX

 

Klinika e Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pranoi një donacion nga EULEX-i.

Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë e dhuroi këtë donacion, i cili përmban inventar, pajisje kompjuterike, fotokopje dhe materiale tjera për zyrat e personelit shëndetësor.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, e falënderoi Bashkimin Europian për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, sidomos sektorit të shëndetësisë gjatë kohës së Pandemisë COVID-19.

“Gjatë këtyre muajve gjithmonë kemi pasur në krahë miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët në një formë ose tjetër e kanë lehtësuar punën tonë. Ky donacion është dëshmi e bashkëpunimit dhe mbështjetes së ofruar nga Bashkimi Europian”.

 

 

“Falënderojmë për këtë donacion misionin e EULEX-it. Në ju sigurojmë se të gjitha këto do të përdoren sipas destinimit dhe do të kujdesemi që t’i mirëmbajmë ato”, tha Krasniqi.

Në këtë ceremoni solemne mori pjesë edhe kryesuesja e Bordit të SHSKUK-së, Agreta Gecaj- Gashi, e cila shprehu mirënjohjen e saj për ndihmën e ofruar, veçmas në këtë kohë sfiduese me pandeminë.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, që dorëzoi donacionin, kujtoi dhe vlerësoi lart rolin e mjekëve dhe infermierëve në shoqëri, derisa tha se ata meritojnë më shumë.

“Unë e di sa e rëndësishme është puna e juaj. Ajo vlerësohet lart, sepse ju keni bërë një betim për t’i ndihmuar njerëzit që kanë nevojë. Kemi ardhur të sjellim këtë donacion që t’ju ndihmoj juve. Janë disa pajisje që kanë qenë për ne, por nuk i kemi përdorur, sepse kemi vlerësuar që janë më të rëndësishme për ju”, theksoi Wigemark.

 

 

Drejtoresha e Endokrinologjisë, Venera Berisha- Muharremi, ndërkaq, duke falënderuar misionin e EULEX-it, tha se është befasuar që kërkesa e saj është aprovuar menjëherë.

“Kam bërë kërkesën për donacion në EULEX. Jam befasuar për të mirë që kjo kërkesë është trajtuar me prioritet dhe është aprovuar menjëherë”, tha Berisha- Muharremi.

 

\RTV-Okarina\