Hyrja në borxh publik po konsiderohet nga ekspertë të fushës së ekonomisë si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza ekonomike në të cilën është futur Kosova gjatë kohës së pandemisë Covid-19.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini në një intervistë thotë se e vetmja mënyrë për rimëkëmbje ekonomike është hyrja në borxhe publike, por që edhe për këtë, ai thekson se kërkohen projekte zhvillimore.
Shahini tutje tha se futja në çfarëdo borxhi publik, duhet të bëhet me një program të mirëfilltë, i cili do ta arsyetonte para institucioneve financiare kërkesën për hua.
“Aleanca Kosovare e Biznesit e vlerëson se gjendja dhe ekonomia e vendit është goditur pikërisht nga pandemia dhe politikat zhvillimore jo funksionale në raport me kërkesat e investitorëve dhe kjo ka lënë pasoja të mëdha në vend dhe si mundësi e vetme për rimëkëmbjen e ekonomisë qeveria në programin e vet nuk parasheh ndonjë rimëkëmbje drejtpërdrejtë për bizneset është futja e shtetit në borxh publik”.
“…ne kemi një avantazh të madhe që ne ende e mbajmë borxhin diku rreth 18% dhe kemi të drejtë të shkojmë deri në 40% sipas Ligjit pa ndryshuar ndonjë strukturë të madhe të legjislacionit dhe kjo do të thotë që këto mjete mund të futen shërbim të sektorit zhvillimor ekonomik duke përfshirë investime kapitale, publike që në formë direkte kthehen në publik, prandaj ne e vlerësojmë si AKB që shteti do të duhet të vazhdojë edhe më tutje me kërkesa financiare për rimëkëmbje ekonomike”.
“…mjetet të shpenzohen për paga dhe mëditje por për projekte zhvillimore publike, kapitale dhe që rrit shërbimin, që rrit konsumin, sepse vet fjala borxh publik do të thotë që me përfitu të gjithë dhe jo me përfituar një sektorë ose punonjësit që punojnë në sektorin publik”, tha Shahini për EO.
Megjithatë Shahini rimëkëmbjen ekonomike e sheh vetëm në vitin 2023, por deri atëherë ai thekson se vendi do të përballet me problem të shumta.
“Programi qeverisës nuk është program shpresëdhënës për rimëkëmbje të shpejtë ekonomike sipas vlerësimeve tona rimëkëmbja mund të kemi në vitin 2023 e që deri atëherë do të ballafaqohemi me probleme të shumta duke i dhënë prioritet qeveria vaksinimit, duke lënë ekonominë jashtë interesit shtetërorë e kjo është goditje e thellë për ndërmarrësinë, ekonominë dhe sektorin privat”.
\RTV-Okarina\