Fushë Kosova bëhet me shirita për biçiklistë

 

Komuna e Fushë Kosovës ditëve të fundit në rrugën që e lidh me Prishtinën ka shtuar edhe shiritin e biçikletave.

Zëdhënësi i komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli në Ora Shtatë në Klan Kosova tregoi se ky projekt do të përfundojë gjatë këtij muaji.

 

 

“Çiklistët tani kanë kushte më të volitshme për të lëvizur edhe ky projekt është në fazën përfundimtare dhe është implementuar vetëm në rrugën “Nëna Terezë”. Shiritat janë vendosur në të dy anët e rrugës dhe deri tani kemi vërejtur se qytetarët janë duke i shfrytëzuar këta shirita ndonëse çiklistët kanë kërkuar që edhe këta shirita të kenë barriera që automjetet të mos kalojnë në këta shirita por që kjo do të ishte një pengesë e madhe për bizneset që janë përgjatë kësaj rruge”.

 

Topalli foli edhe për barrierat ndarëse që ka vendosur komuna deri në zonën kadastrale me Prishtinën.

 

 

“Jemi në proces të dy projekteve në këtë rrugë që janë në përfundim e sipër, janë barrierat që janë vendosë në rrugën “Nëna Terezë” nga rrethrrotullimi deri zonën kadastrale me Prishtinën ka gjithsej pesë dalje. Ka pasur dhe vazhdon të ketë ankesa dhe pakënaqësi sa i përket barrierave që janë vendosur në këtë rrugë kryesore”.

“Por, duhet kuptuar se gjithçka që është punuar në këtë projekt është në të mirë të qytetarëve dhe për sigurinë e tyre. Në këto pesë vend-dalje ka mbetur për tu bërë vetëm edhe shenjëzimi i tyre dhe sa të realizohen këto ky projekt konsiderohet i kryer”, tha Topalli.