Kufoma e një personi është lënë për disa orë e mbuluar me çarçaf në korridorin e Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj.
Ky rast është xhiruar dhe publikuar nëpër rrjetet sociale, kështu duke ngritur pakënaqësi dhe akuza mbi stafin mjekësor të këtij spitali.
Drejtor i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, në një deklaratë për Klan Kosova ka dhënë detaje lidhur me rastin.
Sipas tij, ky rast ka ndodhur në emergjencën e improvizuar në Spitalin e Ferizajt, pasi që emergjenca kryesore është në trajtim të pacientëve me koronavirus, derisa ka shtuar se pacienti në spital është dërguar pa shenja jete.
“Rasti ka ndodh në emergjencën e Spitalit të Ferizajt, emergjencë e cila është marrë në shfrytëzim pasi emergjencën tonë e kemi në repart për trajtimin e COVID-19 dhe pacienti është sjellë pa shenja jete dhe përkundër reanimacionit nga ana e ekipit kujdestar, nuk është kthyer në jetë”.
Zeqiri ka thënë se kanë qenë të obliguar që pacientin ta mbajnë për dy orë aty.
“Në çdo protokoll botëror, pas vdekjes pacienti duhet të qëndrojë dy orë afër emergjencës dhe kjo ka qenë arsyeja se pse viktima është mbajtur aty dhe pas dy orëve i është dorëzuar familjarëve për të kryer procedurat mortore. Arsyeja që nuk e kemi një vend adekuat është sepse e kemi marrë përkohësisht atë hapësirë është që qytetarët të mos ngecin pa shërbime të emergjencës”.
Ai ka demantuar lajmin se i ndjeri ka qëndruar në korridor duke treguar se ajo hapësirë është pjesë e emergjencës, por e ndarë me paragone.
“E vetmja hapësirë që e kemi aty nuk është korridor siç është cekur nga personat që kanë publikuar videon, por është pjesë e emergjencës që është ndarë me paragon dhe asnjë procedurë ligjore nuk është shkelur”.
“Emergjenca e Spitalit të Ferizajt ka hapësirat e veçanta për të gjitha rastet, përfshirë edhe dhomat e morgut”, shtoi Zeqiri.