Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i është përgjigjur Shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirit, për blerjen e vaksinave pasi ky i fundit në seancën e radhës në Kuvend, i tha të nënshkruajë sa më parë kontratën për blerjen e vaksinave.
Vitia e pyeti Tahirin se pse nuk i ka blerë vaksinat në kohën kur ai ishte Zëvendës Kryeministër.
“Janë me të drejtë sugjerimet e juaja për 500 mijë jo por për 1 milion, 1.5 milion e 2 milionë. Jam dakord me juve por ju keni qenë Zëvendës Kryeministër dhe legjitime kishte me qenë pyetja se pse nuk i bleve, ka shumë vende që kanë filluar të blejnë vaksinat shumë më herët se sa tek ne. Pse ju nuk i keni blerë kur ishit deri më datën 23 mars. Ju jeni njoftuar shumë mirë me procesin, e dini edhe për vonesat që janë shkaktuar në këto negociata”.
Vitia tha se pas ardhjes së një kontingjenti të vaksinave më 4 maj, kjo gjë do të vazhdojë dhe gjatë muajit maj procesi nuk do të ndalet.
Ndërkohë Ministri i Shëndetësisë iu përgjigj Tahirit edhe për faljen e gjobave të bizneseve për të cilat Vitia tha se është mesazh i gabuar.
“Mirë që e kërkoni, e di që është mirë t’ju ndihmojmë bizneseve. Sa kanë qenë të efektshme në atë se s’ka pasur diçka të tillë në botë, ju këshilloj të lexoni më shumë. Të kërkohet që të lirohen ose t’ju falen gjobat bizneseve, është mesazh i gabuar që ju dërgojmë bizneseve që janë me mijëra që i kanë respektuar masat por është favorizim i atyre që nuk i kanë respektuara dhe thirrje për të vazhduar me mosrespektim”.
“Për efektshmërinë e masave, jam shumë i lumtur që në Kosovë ka ekspertë të tillë që me rekomandimet e tyre për 12 ditë të intervenimit të këtyre masave, kemi zbritur shifrat e të infektuarve”, tha në fund Vitia.