Këta janë gjashtë ekspertët që do ta ndihmojnë Kosovën në dialog

 

Grupi për Ballkan (BPRG) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se vazhdon të ofrojë mbështetje për institucionet e Republikës së Kosovës në fushat thelbësore të shtet-ndërtimit, për forcimin e institucioneve dhe politik-bërjen, reformat që ndërlidhen me agjendat evropiane, zhvillimin e dialogut me Serbinë dhe bashkëpunimin politik.

“Në frymën e këtyre përpjekjeve, Grupi për Ballkan ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ambasadën e Norvegjisë më datën 22 prill 2021. Ky memorandum përcakton modalitetet për angazhimin e ekspertëve të jashtëm për procesin e dialogut me Serbinë dhe agjendave tjera që ndërlidhen me dialogun.

 

 

Ekspertët e angazhuar ofrojnë ekspertizë, mbështetje profesionale dhe përmbajtjesore për procesin e dialogut, dhe i vihen në dispozicion Kryeministrit, kabinetit të tij dhe Zëvendëskryeministrit për Integrime evropiane, Zhvillim dhe Dialog.  Ekspertët e jashtëm nuk kanë rol përfaqësues apo udhëheqës dhe kontraktohen vetëm nga Grupi për Ballkan.

Ekspertët e angazhuar deri më tani janë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa, Veton Surroi. Së shpejti grupit të ekspertëve, pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala. Ekspertë të tjerë mund të ftohen dhe angazhohen varësisht nevojave të qeverisë dhe dinamikës së procesit të dialogut”, thuhet në njoftim.

Ky aktivitet përbën njërin nga komponentët programore të Grupit për Ballkan, të cilat implementohen me mbështetjen e Qeverisë së Norvegjisë, në kuadër të kornizës “Zhvillimi i paqes & shtet-ndërtimit dhe avancimi i agjendës Evropiane”.