Pas lajmeve të fundit të “non-paper” reagon edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass

Pas ambasadorit gjerman në Prishtinë, edhe Ministria e Punëve të  Jashtme të Gjermanisë ka reaguar ndaj  lajmeve për të ashtuquajturën “Non – paper”, për të cilën  po flitet në median kosovare, duke theksuar se “ajo nuk rrjedh nga pena e qeverisë gjermane”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Berlin, raporton Deutsche Welle.

 

“Përkundrazi, ministri i Jashtëm, Maas theksoi edhe një herë gjatë vizitave të tij në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar se “e gjithë mbështetja jonë shkon në dialogun e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, të moderuar nga BE, nën udhëheqjen e të dërguarit special të BE-së Miroslav Lajcak. Qëllimi i këtij dialogu për normalizimin është një marrëveshje e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse që kontribuon në stabilitetin rajonal, përfshin njohjen reciproke dhe kështu u mundëson të dy vendeve një perspektivë reale të BE dhe anëtarësimin në BE”, thuhet në deklaratë.

Ky reagim erdhi pas publikimit në media të një dokumenti joformal “Non paper” ku thuhet se Kosova dhe Serbia do ta njohin integritetin territorial të njëra-tjetrës.

\RTV-Okarina\