DASH: Idetë e lëvizjes së kufijve në Ballkan, nxisin tensione në këtë rajon

 

Departamaneti Amerikan i Shtetit i ka cilësuar si të pajustifikueshm qarkullimin e ideve të fundit për lëvizje të kufijve në Ballkan.

Përmes një qëndrimi DASH vlerëson se diçka e tillë rikthen kujtime të tensioneve të mëparshme në këtë rajon.

“Siç kemi parë, spekulimet e fundit të pajustifikueshme rreth ndryshimit të kufijve në vija entike në Ballkan, rrezikojnë të nxisin jostabilitet dhe  na rikthejmë kujtimet me tension të së kaluarës”, thuhet në qëndrim.

“Një e ardhme stabile dhe prosperuese në Ballkan duhet të bazohet në qeverisje të mirë, rend dhe ligj, demokraci multietnike dhe respektim të të drejtave të njeriut dhe lirive fondamentale”.

Në kumtesën e Departamentit Amerikan të Shtetit rreth angazhimit të tyre për vendet e Ballkanit Perëndimor theksohet mbështetja e tyre për arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

 

 

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë të gatshme për të punuar drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, që në bazë ka njohjen reciproke, që hedh baza të bashkëpunimit dhe prosperitetit afatgjatë”.

“Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe inkurajojmë palët që të riangazhohen në këtë proces me synim të adresimit urgjent të çështjeve teknike dhe politike”.

“Ne do të punojmë me Kosovën dhe Serbinë për të implementuar Marrëveshjen e Washingtonit në mbështetje të qëllimit për normalizim të plotë”.

\RTV-Okarina\