Ngrihet çmimi i kafes, Shoqata e Gastronomëve distancohet nga këto veprime

 

Shoqata e Gastronomëve është distancuar nga veprimet e disa bizneseve për të cilat u raportua se kanë ngritur e çmimin e kafes.

Lidhur me këtë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka paralajmëruar dënime.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomëve, tha se brenda kësaj shoqate nuk ka të raportuar për ngritje të çmimit të kafes.

“Shoqata e Gastronomëve të Kosovës përveç që përfaqëson interesat sektoriale, të sektorit të gastronomisë ajo i ka 420 anëtarë, dhe brenda këtyre anëtarëve nuk ka të raportuar që ka ngritje të çmimeve por sido që të jetë është evidente që po flitet edhe po raportohet që ka ngritje të çmimeve në disa komuna, të çmimit të kafes po flasim”.

“Ne si shoqatë jemi distancuar nga këto veprime të cilat janë të kundërligjshme dhe bie ndesh me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, konkretisht me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, dhe marrëveshjet, dhe nuk është një gjë që lejohet, edhe pse e kuptojmë performancën e dobët të sektorit të gastronomisë ku prin në raport me çdo industri tjetër dhe do të kishte qenë evidente dhe e kuptueshme një ngritje e çmimit të kafes, sidomos gjatë periudhës së ramazanit që është një periudhë jo e mirë në afarizmin e gastronomisë, e sidomos pas barrierave”, tha Vranica.

 

 

Vranica potencoi që është më e rëndësishme dhe më shqetësuese që të hulumtohet rritja e produkteve ushqimore, dhe të iniciohet procedurë hetimore ndaj tyre, sesa të merren me gastronominë dhe bizneset.

“Është evidente që krahasuar me muajin mars dhe shkurt kemi pasur një rritje të çmimeve të ndryshme, sa i përket artikujve ushqimorë të konsumit, të cilat lidhen me 0.4% rritje nga muaji shkurt me muajin mars, dhe kjo është për t’u shqetësuar dhe kishte qenë temë shumë ma herët që të merremi, dhe e njëjta nuk ka ndodhur, andaj u bëjmë thirrje që të bëjë inicimin e procedurave hetimore në lidhje me produkte të ndryshme, si të vajit, miellit e produkteve tjera, që janë rritur dhe që është për tu shqetësuar”, deklaroi ai.

Ai tha që duhet të ketë qasje të barabartë tek të gjithë sektorët dhe jo t’i vihet gishti vetëm tek gastronomët, pasi sipas tij ky fenomen paraqitet edhe tek sektorë të tjerë.

Vendimin e fundit për alokimin e mjeteve, dhe ndarjen e buxhetit për këta sektorë, Vranica  e konsideron jo proporcional dhe keqmenxhuese, pasi krahasimi me disa sektorë siç është barnatoret, furrat e bukës të cilat kanë punuar vazhdimisht, është i papranueshëm dhe që duhet anuluar.

 

 

“Ka qenë një ndarje jo proporcionale, dhe ka qenë një keqmenaxhim i buxhetit të Kosovës, ne e dimë që buxheti i Kosovës ka telashe të mëdha për me nda alokime të tilla, ka pasur ndarje me gjithë respektin, për barnatoret, për furrat e bukës që nuk ka pasur nevojë të bëhet një gjë e tillë, sepse atëherë kur bie fjala tek sektorët që kanë pësuar dëme, normalisht që edhe kompensimet nuk i kanë marrë të duhurat”.

ngr“Këndellja e cila mund t’i bëhet sektorit të gastronomisë pasi që të përfundoj pandemia, 36% të bizneseve sipas raportit hulumtues do ju duhet 3-12 muaj për tu rikuperuar në gjendje normale, ndërsa mbi 50% të bizneseve ju duhet më shumë se një vit për tu kthyer në gjendje normale, dhe vendime të tilla andaj kanë qenë të papërgjegjshme, për ndarje të tilla buxhetore që veçse folëm”, përfundoi ai.