Gërvalla: Vetëm përmendja e “Non-paper” është tepër e rrezikshme për rajonin

 

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka pritur sot në takim homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani.

Derisa është folur për raportet bilaterale dhe mundësinë e bashkëpunimit në shumë fusha, Gërvalla është pyetur për “Non- paper” slloven për ndryshimin e disa kufijve në Ballkan, duke mos përjashtur këtu Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Gërvalla ka thënë se e ka ndjekur me shqetësim atë që është raportuar nga mediat

“Është shumë e vërtetë e kemi ndjek me shumë shqetësim daljen në media të këtyre letrave të tilla, të cilat vetëm thjesht edhe përmendja e tyre është tepër e rrezikshme për rajonin. Në vitin 2018 kemi pas tendenca për shkëmbime të territoreve në ndarje në bazë të linjave e vijave teknike. Për ne është shumë e qartë ajo që shkruhet në letra të tilla. Shumë i qartë qëndrimi ynë, të gjitha palët do të duhej të ishin të kujdesshme”, ka thënë Gërvalla.

 

 

Nga ana e tij, ministri Osmani ka thënë se nuk duhet të bëhet ndërlidhja e të njëjtit me Slloveninë, pasi që sipas tij ky shtet është përkrahës i madh i Ballkanit që ky regjion të integrohet në BE.

“Ne nuk duhet të bijmë në kurthin e lidhjes autorësisë me atë dokument, një gjë e tillë është demantuar është refuzuar nga Sllovenia. Sllovenia është një mike e rajonit, dhe prandaj nuk mendoj që është korrekte ta lidhim këtë document me Slloveninë. Sa i përket përmbajtjes qëndrimi ynë ka qenë i prerë se në Ballkan janë përdorur shumë modele të trajtimit të cështjeve etnike dhe unë mendoj se marrëveshja e Ohrit dhe Pavarësia e Kosovës, përspektiva euroatlantike e rajonin janë treguar si modele të suksesshme”, ka thënë Osmani.

\RTV-Okarina\