Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 103.124 raste nga 511.336 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.110 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 507 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 89.648 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.366.
Ndryshe, në Kosovë po vazhdon procesi i vaksinimit, ku deri tani janë vaksinuar rreth 21 mijë persona.
Një ditë më parë ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka thënë se gjatë javët e ardhshme do të vijnë edhe një numër prej 100 mijë vaksinave antiCovid në Kosovë.
Gjatë konferencës për medie, Maas theksoi se është i vetëdijshëm që kjo nuk është e mjaftueshme, prandaj theksoi se do të vazhdojnë t’i dalin në ndihmë Kosovës për të vaksinuar edhe pjesën tjetër të popullsisë.
“Kosova tashmë i ka pranuar 24 mijë nga 100 mijë vaksinat e planifikuara deri në maj nga COVAX. Në javën e ardhshme atyre do tu shtohen edhe 100 mijë vaksina të tjera. Ne e dimë që nuk mjafton, por ne llogarisim që vaksinat në javët e ardhshme do të shtohen nga kompanitë farmaceutike dhe kjo nuk do të jetë fjala e fundit. Ne do të ju mbështesim që të vaksinoni qytetarët dhe ta kaloni situatën me pandeminë në mënyrë të suksesshme”, tha Maas në konferencë për medie.
\RTV-Okarina\