Tre muaj pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin 12 të akuzuarit e rastit “Veteranët” janë liruar nga aktakuza, trupi gjykues i kryesuar nga Nushe Kukaj-Mekaj, ka përfunduar përpilimin e këtij aktgjykimi.
Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar janë akuzuar ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ata akuzoheshin se duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.
PSRK-ja pretendonte se me këto veprime të të pandehurve, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.
Sipas aktgjykimit me shkrim të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Prishtinë ka theksuar se Prokuroria Speciale kishte dështuar të provojë dashjen e të akuzuarve për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
“PSRK, ka dështuar të ndajë veprimet inkriminuese të të akuzuarve të kryera në bashkëveprim, i përfshiu në mënyrë të përgjithësuar, duke mos e marrë për bazë vërtetimin e gjendjes faktike ndryshe në shqyrtim gjyqësor me provat e administruara, nga të cilat pa dyshim u vërtetua se jo të gjithë të akuzuarit kishin qenë pjesë e KVSH-së në të njëjtën kohë”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Sipas gjykatës, edhe pse të pandehurit kishin qenë të vetëdijshëm për rritjen e numrit të përfituesve të kategorive të dala nga lufta, ky fakt nuk lidhej me dashjen e të pandehurve për kryerjen e veprës penale.
Gjykata arsyeton se rritja e numrit listave të veteranëve kishte ardhur si pasojë përkufizimeve të ndryshëm të kategorizimit të veteranit luftëtar nga dy ligjet ekzistuese dhe jo nga veprimet e të akuzuarve.
Sipas gjykatës, PSRK kishte përshkruar veprimet e të pandehurve në mënyrë të përgjithësuar, duke mos përcaktuar detyrat e KVSH-së apo cilat kompetencat tejkaluan.
Tutje, gjykata thekson se kishte vërtetuar se gjithë të akuzuarit kishin pasur vullnet dhe dashje që procesi të shkonte në rregull dhe nuk kishte dashje për kryerjen e veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatës, PSRK-ja nuk kishte argumentuar dashjen e të akuzuarve për kryerjen e veprës penale, mirëpo, e njëjta sipas gjykatës ishte mjaftuar të argumentojë dashjen vetëm në bazë të debateve të zhvilluara në mbledhjet KVSH-së, duke anashkaluar vendimet e marra nga ky komision.
Gjykata po ashtu ka vlerësuar se PSRK-ja kishte dështuar të vërtetojë në mënyrë të saktë nëse numri prej 19.500 aplikuesve veteranë luftëtarë a ishin të kundërligjshëm apo jo.
Në lidhje me pretendimin e dëmtimit të buxhetit prej 88.769.217.04 euro, gjykata arsyeton se nuk ka mundur të vërtetojë saktë nëse kjo shumë ishte si rezultat e përfitimit të kundërligjshëm nga listat e veteranëve, pasi sipas Gjykatës nuk ishte vërtetuar fakti nëse 19.500 aplikues ishin përfitues të paligjshëm apo jo.
Përveç kësaj, gjykata argumenton se nuk ishte vërtetuar dëmtimi i buxhetit, pasi MPMS-ja kishte theksuar se kishte vetëm një aktgjykim ku ishte kërkuar ndërprerje e pensionit .
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin të vitit 2019.
Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.
Në këtë aktakuzë janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkoheshin me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i printe Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohej se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.