Kaq persona janë vaksinuar në Kosovë me vaksinën antiCovid

 

Në të gjithë vendin, deri më tani janë vaksinuar 20 mijë persona kundër Covid-19, që nga 8 prilli kur edhe ka filluar ky proces.

Këtë e ka bërë të ditur Niman Bardhi, menaxheri  i Qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, në të cilën deri më tani janë vaksinuar 2930 persona.

Ai ka thënë se në këtë qendër deri më tani janë vaksinuar 191 punonjës shëndetësorë.

 

 

“Siç po e shihni edhe sot kemi vazhduar me vaksinimin e personave në moshën mbi 75 të shoqëruar me sëmundje kronike, ku deri në këto qaste në total janë vaksinuar mbi 2930 persona, prej tyre të sëmurë kronik kemi pasur mbi 1311, ndërsa profesionistë shëndetësorë 191, të moshuar , por jo të shoqëruar me sëmundje kronike kemi 1261 dhe dializa 54. Jemi tek shifra 20 mijë persona të vaksinuar në nivel vendi”, tha ai.

Kujtojmë që Kosova ka pranuar 24 mijë doza të vaksinës anti- Covid në fund të muajit mars nga AstraZeneca.

\RTV-Okarina\