Prej 1406 vrasjeve totale në Kosovë gjatë 21 vjetëve të fundit, 445 janë akoma të pazbardhura

 

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, sot ka mbajtur një tryezë virtuale në të cilën është prezantuar raporti “Trajtimi i vrasjeve në Kosovë: Politika e ndjekjes dhe gjykimit në rastet e vrasjeve”.

Hulumtuesja e IKD-së, Justina Frrokaj, tha se detyra e shtetit në kuptim të mbrojtjes së jetës nuk përfundon me miratimin e ligjeve, por me mbrojtjen reale dhe aktive të jetës së secilit qytetar nga privimi i kundërligjshëm, qoftë ky privim nga institucionet apo qytetarët e tjera.

Frrokaj deklaroi se si gjetje e këtij raporti është mungesa e profesionalizmit të organeve të drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të vrasjeve, duke shtuar se mungesa e profesionalizmit në trajtimin e këtyre rasteve lexohet edhe si mungesë e profesionalizmit në mbrojtjen e jetës, si të drejtën bazë, nga e cila të gjitha të drejtat e tjera marrin kuptim.

 

 

Sipas Frrokajt, gjatë monitorimit në rastet e vrasjeve, IKD ka gjetur se problematikë në trajtimin e këtyre rasteve është edhe moskujdesi i duhur ndaj provave të cilat duhet të përdoren në një procedurë penale.

“Gjatë monitorimit janë hasur raste kur janë asgjësuar mjetet e kryerjes së veprave penale të vrasjeve gjë që ka pamundësuar edhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme në drejtim të zgjidhjes së rasteve”.

Gzime Hashani, hulumtuese në IKD, tha se nga ana e gjykatave nuk po zbatohet Udhëzuesi për Politikën Ndëshkimore i miratuar nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Sipas saj, shkarjet nga politika e drejtë ndëshkimore në rastet e vrasjeve paraqesin pamundësinë e sistemit të drejtësisë për të parandaluar dukurinë e privimit të kundërligjshëm nga jeta të qytetarëve, për arsye se politika ndëshkimore jo adekuate nuk arrin qëllimet e dënimit, kryesoret nga të cilat janë parandalimi i shoqërisë dhe parandalimi i individit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen.

Hashani tha se, bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, nga viti 2000 e deri në janar të vitit 2021 kanë ndodhur gjithsej 1,406 vrasje, 961 prej të cilave iu dihet autori, ndërsa 445 vrasje janë të pazbardhura.

Sipas këtyre të dhënave, Hashani tha se është shqetësues fakti që rreth çdo e treta vrasje që ka ndodhur nga viti 2000 në Kosovë nuk është e zbardhur.

 

 

Gjatë kësaj tryeze virtuale, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti, deklaroi se raporti i publikuar nga IKD ndihmon të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë për të parë se ku janë gabimet në mënyrë që të përmirësohen dhe të kemi rezultate të mira.

Sa i përket vrasjeve që kanë ndodhur në qershor dhe korrik të vitit 1999, që janë me persona të panjohur, prokurori Hamiti tha se Prokuroria Speciale nuk ka pranuar t’i trajtoj këto raste si krime të luftës.

Avokati Taulant Hodaj deklaroi se raporti ka evidentuar vështirësitë apo të metat për veprat penale të vrasjeve.

Ai shtoi se prokuroria duhet të ketë parasysh që sipas dispozitave ligjore të prezantojë rrethanat fajësuese dhe shfajësuese e që nga praktika, sipas tij, prokurorisë nuk i interesojnë provat shfajësuese.

Sa i përket propozimit që të formohet një divizion i posaçëm për rastet e vrasjeve, avokati Hodaj tha se ekzistojnë disa departamente si në gjykatë ashtu edhe në prokurori dhe se nuk e di sa mund të jetë zgjidhje e drejtë krijimi i një divizioni të kësaj natyre.

\RTV-Okarina\