Në kuadër të Komisionit për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media, është shqyrtuar raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për vitin 2020.
Kryetarja e këtij Komisioni, Doarsa Kica ka deklaruar se puna e KPM është shumë e rëndësishme për tregun medial dhe interesin publik.
“Për këtë arsye, ofruam gatishmërinë e plotë të bashkëpunimit dhe adresimin e duhur të barrierave eventuale që vështirësojnë punën e KPM”, ka thënë ajo.
Më tej, Kica ka deklaruar se marrë parasysh këtë rëndësi, KPM nuk duhet të lejoj mungesë të diskutimit publik në asnjë rast të ndryshimit të Rregulloreve përkatëse.
“Njësoj, KPM ka për obligim të siguroj respektim të plotë të kornizës ligjore pa përjashtim dhe kjo nuk guxon të mbetet në diskrecion të KPM, rast pas rasti. Prandaj, kërkuam plotësim të raportit nga KPM ku ndër të tjera, adresohen edhe këto problematika. Llogaridhënia është esenciale në fuqizimin tutje të pozicionit të pavarur që kërkohet nga KPM”, ka deklaruar ajo.
Pas parashtrimit të kërkesave shtesë për plotësim të raportit, mbet që e njëjta të na ridorëzohet e plotësuar për rishqyrtim nga Komisioni.
\RTV-Okarina\