Gani Ahmeti, djali i të vrarit, për Indeksonline tha se, ndihen më lehtë pas ekstradimit të Dodë Gjikolajt, por vrasjen e ka organizuar Bajram Ahmeti .
Ahmeti u shpreh se familja e tij do të ndihet më mirë kur të arrestohet i dyshuari kryesor, Bajram Ahmeti, ku sipas tij ai i ka bërë pagesat për ta vrarë Haxhi Ahmetin.
“Ky është një lajm i mirë për familjen tonë. Ndihemi më të lehtësuar, është pak më lehtë, por që më mirë unë dhe familja ime do të ndihemi kur të arrestohet kryesori. Është interesant kur të arrestohet kryesori, Bajram Ahmeti.
Prokuroria neve nuk na ka njoftu as që është ekstradu, asgjë hiç. Prej mediave e kemi marrë vesh që është ekstradu. Tash po presim drejtësi dhe po pres puna me u bë qysh duhet”, tha ai.
Dodë Gjikolaj dyshohet për veprën penale të “vrasjes së rëndë” dhe “përdorim të armës apo mjetit eksplodues”.
Ai ia kishte vendosur eksplozivin viktimës në derë të shtëpisë, ku në tetor të vitit 2018, në Smolicë të Gjakovës, 61-vjeçari Haxhi Ahmeti ishte vrarë sapo kishte hapur derën e shtëpisë, si pasojë e atij shpërthimi.
/RTV-Okarina/