Sipas aktakuzës, J. Rr.-L. në cilësinë e Drejtoreshës së Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Suharekës, jashtë kompetencave të saj, nxjerrë Konkluzionin 09 Nr.109, të dt. 26.05.2020 dhe pastaj me dt. 29.05.2020, në vendngjarje, në parcelat kadastrale të të dëmtuarës “AgroKosova-Holding”, në lagjen Shirokë të Suharekës, udhëheq me procedurën dhe në kundërshtim me frymën e Konkluzionit nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të investitorit B. G., të ndërtuar pa leje dhe kësi soji i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat të dëmtuarës.
H. M. akuzohet se nuk ka vepruar sipas Urdhrit të lëshuar nga vetë ai, që obligonte investitorin Xh. R., pronar i objektit afarist–montazh “Viva Fresh”, në fsh. Reshtan-Komuna e Suharekës të pajisej me leje ndërtimi në afat prej 15 ditësh, duke mos e penguar të njëjtin ta vazhdojë ndërtimin e mëtutjeshëm, poashtu del me vonesë në vend të ngjarjes, nuk vepron sipas procedurës për rrëzimin e ndërtimit pa leje, por sërish i jep afat shtesë investitorit, kësaj here më të gjatë se 30 ditë, që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës.
Poashtu , i akuzuari H. M. në cilësinë e inspektorit të ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist i ndërtuar nga investitori B. G. në pronën e të dëmtuarës “AgroKosova–Holding”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një Urdhër-ekzekutimi të lëshuar nga Drejtoresha e Drejtorisë së Inspeksionit, pasi kishte përfunduar tashmë ndërtimi, me këto veprime të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material ose i ka shkelur të drejtat e saja.
/RTV-Okarina/