Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka konfirmuar raportimet në media se ai është dënuar nga Policia e Kosovës dhe inspektorët me rastin e ditëlindjes së tij.
“Mbrëmë kam festuar ditëlindjen me familje në një hapësirë private – jo biznis – ku kemi qenë rreth 15 persona prej të cilëve gjysma familjarë (në mes tyre bashkëshortja dhe fëmijët). Ende pa filluar dhe rreth orës 20 (dy orë para orës policore) kanë ardh tre kerre të policisë dhe 2 të AVUK të cilët më kanë thënë se dikush ka lajmëruar dasëm…”, theksoi Ahmeti.
Ai në një postim në Facebook ka bërë të ditur se është çuditur se si pa nisur ende një mbledhi familjare në hapësirë private, dikush paska lajmëruar “dasëm”.
“Unë kërkova që të gjobitemi sipas ligjit. Unë dhe mysafirët u dënuam me gjoba për mosmbajtje të distancës dhe maskave. Nga 35 euro. Në këso rrethanash dhe pa hyrë në konspiracione, me sinqeritetin më të madh e falënderoj Policinë e Kosovës dhe AVUK për sjellje profesionale gjatë vizitës”, theksoi Ahmeti.
Ai ka thënë se mbledhia private i kushtoi më shtrenjtë, por rregullat vlejnë edhe për kryetarin pa marrë parasysh se a pajtohem me masat apo jo.
/RTV-Okarina/