Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar në lidhje me konferencën e mbrëmshme të ministrit, Arben Vitia.
Sipas AAK-së është krim kundër shëndetit të qytetarëve nëse blerja e vaksinave cilësohet si sekrete.
Tutje në komunikatën thuhet që AAK nuk i nënshtrohet këtij pushteti.
“Ideja që blerja e vaksinave të nevojshme të klasifikohet si sekret, është hiç më pak se krim kundër shëndetit qytetar, edhe ashtu të rënduar. Në anën tjetër, sulmi mbi media është sulm kundër fjalës së lirë, që tashmë po sulmohet direkt nga pushteti aktual. Qytetarët kanë të drejtë të informohen se si po menaxhohet me taksat e tyre, e aq më tepër rreth blerjes së vaksinës. Tash e dy javë Kosova u mbyll me një vendim qesharak, ku po kjo elitë e pushtetarëve, vërshoi drejt Adriatikut. Veturat zyrtare e zyrtarë të lartë të shtetit, në krye me kryeministrin Kurti, në vlugun e pandemisë bënin turizëm në Shqipëri. Kjo është më tepër se krim”, shkruhet në komunikatë.
Shtabi Zgjedhor i AAK-së në Prishtinë i përgëzon mediat e guximshme që nuk po i nënshtrohen këtij pushteti.
Në lidhje me konferencën e Arben Vitisë, ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri.
Tahiri në postimin e tij ka thënë se Qeveria Kurti po dëshiron të konfiskoj transparencën.
‘Në asnjë vend normal, nuk kërcënohet media për publikimin e informacionit. Në vende demokratike, e drejta për t’u infomuar, qëndron mbi çdo të drejtë tjetër. Ajo ështe absolute. Në mungesë të veprimit dhe rezultateve, nuk mund të fshihesh pas sekretit shtetëror. Përpos se kur prapa një sekreti të tillë, synohet të fshihet ndonjë agjendë e dyshimtë dhe kundër interesit të përgjithshëm, atij publik. Ata që dje me hov e nisën me shtetin ligjor, sot po duan ta konfiskojnë transparencën. Pfizer dhe transparenca e mohuar, janë ilaçi kundër Covid – 19, dhe kundër deformimeve që po i bëhen demokracisë’, ka shkruar ai.
/RTV-Okarina/