Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca së bashku me presidenten, Vjosa Osmani sot kanë bërë homazhe në Çikatovë, për të përkujtuar gjenocidin e kryer nga shteti serb në 22 vjetorin e masakrës që u bë në këtë vend.
Konjufca nga aty deklaroi që nuk ka drejtësi për masakrën e Çikatovës derisa kriminelët enden të lirë në Serbi, e sipas tij ka mundësi që ndonjëri të endet edhe në Kosovë.
“Sa herë vijmë këtu e kuptojmë edhe më mirë çmimin e madh që e kemi paguar si popull për lirinë e shtetit tonë, për lirinë e popullit tonë. Çka është më e keqja, ka të bëj me faktin, që nuk ka pasur drejtësi për masakrën e Çikatovës. Ende shumë kriminel që kanë marr pjesë drejtpërdrejt në masakrën e Çikatovës janë të lirë, janë në Serbi, nuk e përjashtoi që ndonjëri prej tyre mund të jetë edhe në Kosovë.
Por, kjo është krim i shumëfisht sepse i lëndon familjarët që i kanë dhënë më të dashurit e tyre. Edhe martirët nuk mund të prehen të qetë, as zemrat e familjarëve nuk mund të qetësohen e ata mund të flejnë pa ardhur drejtësia, pa u dënu të gjithë kriminelët për mizoritë e tyre të kryera në Kosovë, e njëra prej mizorive më barbare është masakra e Çikatovës”, deklaroi Konjufca.
Tutje, Konjufca deklaroi që Serbisë duhet t’i bëhet një padi për gjenocidin që e ka bërë në Kosovë.
“Ajo që duhet të bëj Qeveria e Kosovës, edhe që e ka dhënë premtimin, është të përpiloj një padi kundër Serbisë që do të dorëzohet në Gjykatën Ndërkombëtare. Normalisht që për këtë nevojitet punë e madhe, punë sistematike. Njëri prej akteve të para do të ishte rithemelimi i Institutit të Luftës. Pa dyshim që Serbisë duhet t’i bëhet një padi për gjenocid. Kërkush nuk ka dyshim që ai ka qenë gjenocid”, tha Konjufca.
/RTV-Okarina/