Osmani: Të asimilohen shqiptarët! Ky ishte qëllimi i Serbisë

 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, sot kanë bërë homazhe në Çikatovë, në përkujtim të 22 vjetorit të masakrës që u bë në këtë fshat.

Osmani në prononcim për media tha se qëllimi i shtetit të Serbisë ishte shfarosja e popullit shqiptar nga faqja e dheut.

“Jemi këtu me kryetarin e Kuvendit, z.Konjufca për të nderuar të gjithë viktimat e masakrës së 17 prillit këtu në Çikatovë të vjetër por edhe të gjithë dëshmorët e të rënët e këtij fshati, të gjithë martirët ranë në mënyrë që ne sot ta gëzojmë lirinë. Është një nga masakrat më mizore më të tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë e cila e dëshmon qartë qëllimin shfarosës që Serbia e kishte ndaj popullit shqiptar në Kosovë.”

 

 

“Kushdo që mund të ketë dyshime rreth këtij qëllimi mjafton që të vij këtu në Çikatovë e pastaj të shkoj në Poklek e ta shoh se si serbët nuk kursyen as më të vjetrit e nuk kursyen as fëmijët më të vegjël e as shkrimtarët e fëmijëve në Poklek, për të treguar që qëllimi i tyre nuk ishte vetëm spastrimi etnik por ishte që ta zhdukte popullin shqiptar nga faqja e dheut.”

“Ne qe jemi të gjallë fal sakrficës së tyre që dhanë jetën e lirinë e Kosovës, e kemi borxhin më të lartë njerëzor që të sigurojmë drejtësi për secilin prej tyre sepse vetëm ditë kur do të ketë drejtësi për të gjithë të rënët për lirinë tonë, atëherë edhe paqja po ashtu stabiliteti afatgjatë në rajonin tonë do të jetë i mundur. Lavdi të gjithë të rënëve dhe i përjetshëm do të jetë kujtimi për secilin prej tyre.”, tha Osmani.

/RTV-Okarina/