Sot, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Ambasadorin, Shefin e misionit të OSBE-së, Michael Davenport i cili ishte i shoqëruar nga Mjellma Hapqiu Halijaj, zyrtare për politika vendore.
Ministrja Haxhiu e njoftoi ambasadorin Davenport për prioritet dhe angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë, duke filluar nga përkushtimi ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit i cili ka nisë ndërtimin e infrastrukturës ligjore për ta fuqizuar atë. Gjithashtu e informoi edhe për koncept dokumentin e votuar në Qeveri i cili është vetëm hapi i parë drejt hartimit të ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme duke i informuar njëherit më shumë për përmbajtjen e tij.
Dhuna në familje po ashtu si shqetësim qytetarë e i institucioneve të Republikës së Kosovës, ka nisur të trajtohet si prioritet i veçantë duke shprehë angazhimin për themelimin e sekretariatit si mekanizëm mbështetës për zyrën e Koordinatorit Nacional për mbrojtjen nga dhuna në familje.
Ndër të tjerash delegacioni nga OSBE u njoftua edhe më shumë për Kodin e Procedurës Penale dhe Rishikimin Funksional.
Rëndësi e veçantë iu kushtua edhe temës rreth adresimit të krimeve të luftës.
Ministrja shprehi edhe gatishmërinë që sistemi i drejtësisë duhet t’i trajtoj problemet dhe çështjet e komuniteteve jo shumicë, veçanërisht ato të romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve. Ajo shfaqi interesimin që institucionet të jenë sa më pranë qytetarëve të Republikës, e pashmangshëm duke përfshirë edhe komunitetet tjera.
Ambasadori Davenport shprehi vullnetin për t’i mbështetur veç e veç në prioritetet e vëna e po ashtu në përgjithësi në sfidat që e presin Qeverinë e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë, duke shprehë bindjen që bashkërisht do të arrihen qëllimet e vëna për të shënuar një progres më të madh në zhvillim të shtetit, institucioneve të Republikës, gjegjësisht përfitimit të të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim.
/RTV-Okarina/