Fataliteti nga Pandemia Covid-19 ka goditur më shumë gjininë mashkullore

 

Covid-19 ka lënë pasoja më fatale tek gjinia mashkullore, vdekshmëria e të cilëve në vend ka shënuar një rritje shumë të lartë, në periudhën korrik-dhjetor 2020, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Eurostat ka përditësuar të dhënat javore për vdekjet në Shqipëri për të gjithë vitin 2020, duke i detajuar dhe në ndarjen sipas gjinisë. Në total sipas Eurostat, në vitin 2020 në vend u shënuan rreth 27.7 mijë fatalitete, ose 5,800 më shumë se 2019-ta, me një rritje prej 26.6%, shifra të ngjashme ato të publikuara nga instituti statistikor shqiptar.

Rritja e vdekshmërisë në vend ka filluar në javën e 25, që përkon me fillimin e gjysmës së dytë të muajit qershor, për të kulmuar në javën e 46 deri në atë të 49 (9 nëntor deri në javën e parë të dhjetorit).

 

 

Dy javët më vdekjeprurëse të pandemisë ishin java e 47 (16-22 nëntor), ku u shënuan 956 humbje jete, 2.4 herë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe ajo e 49 (30 nëntor deri në 6 dhjetor), ku u regjistruan 988 fatalitete, me rritje 133%. (shiko grafikun: Vdekjet sipas javëve total).

Pandemia goditi më shumë meshkujt, pësoi një rritje të frikshme me 69% nga korriku në dhjetor

Në të gjithë botën, pandemia ka rezultuar më vdekshmëri më të lartë te meshkujt. Studimet shkencore kanë treguar se të dy faktorët biologjikë (përgjigjet më të forta imune) dhe faktorët e rrezikut të sjelljes (p.sh. pirja e duhanit dhe zakone të tjera të jetesës) i vënë burrat në një risk më të madh për komplikime shëndetësore dhe vdekje, si pasojë e COVID-19. Burrat e kanë dy herë më të lartë rrezikun e vdekjes nga COVID-19, duke u ndikuar nga sërë hipotezash, nga stilet e jetesës dhe faktit që gratë zakonisht kanë sistem më të fortë imunitar, falë hormoneve femërore, si dhe strukturës së kromozomeve.

/RTV-Okarina/