Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, ka thënë se gjatë kësaj legjislature do të shtyjnë përpara Projektligjin kundër dhunës në familje dhe atë për peticione.
Bogujevci në një intervistë për Ekonomia Online shtoi se duhet të rishikohen edhe projektligjet tjera karshi konventës së Stambollit.
“Është projektligji kundër dhunës në familje që është projektligj tepër i rëndësishëm dhe duhet të shtyhet përpara sidomos tani që e kemi konventën e Stambollit përbrenda Kushtetutës së Kosovës dhe jo vetëm ligji kundër dhunës në familje por edhe ligje të tjera që duhet t’i rishikojnë karshi konventës”.
“Kemi edhe projektligjin për peticione që është kthyer në pikën e parë që duhet të procedojmë. Jemi komision që thirremi sa i përket peticioneve dhe ende nuk kemi një ligj që e rregullon këtë pjesë. Natyrisht çështja e personave të pagjetur është temë shumë e rëndësishme, por ka edhe tema të tjera”, shtoi Bogujevci.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, tha se është shqetësuese numri i raportimeve të dhunës në familje dhe për këtë është shumë e rëndësishme të procedohet me ligjin.
Ajo theksoi se ka shumë problematika të mëdha në vendin tonë, andaj edhe duhet kushtuar rëndësi projektligjit të dhunës në familje dhe çështjen e mbrojtjes së fëmijëve.
“Kemi shumë problematika të mëdha në vendin tonë. Është shqetësuese që në baza ditore kemi raportim të dhunës në familje dhe mendoj se duhet t’i kushtojmë rëndësi dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme të procedojmë me projektligj sa më shpejt që është e mundshme”.“Çështja e mbrojtjes së fëmijëve. Po besoj që përmes komisionit që shumë gjëra do ti shtyjmë përpara”, tha ajo.
\RTV-Okarina\