Nga 345 raste të dokumentuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, 11% e rasteve kanë ndodhur kur të dhunuarat kanë qenë nën moshën 18 vjeçare.
Këto të dhëna janë bërë të ditura në publikimin e raportit E DREJTA PËR TË VËRTETËN – “VIKTIMAT PA EMËR”, i publikuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Fatmire Haliti, udhëheqëse e këtij grumbullimi tha që të dhënat janë mbledhur nga 345 të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë.
“Nga 345 rastet e dokumentuara, 325 janë gra e vajza dhe 20 janë burra e djem. Nga rastet e dokumentuara 6% e viktimave i përkasin komunitetit jo-shumicë(romë, boshnjak, ashkali e egjiptian), 11% e rasteve të dokumentuara janë fëmijë të cilët në kohën e përjetimit të dhunimit seksual ishin nën moshën 18 vjeçare. Dhunimet gjatë luftës më shumë kanë ndodhur në fshatra se sa në qytete, 63% në fshatra ndërsa 37% në qytete”, tha ajo.
Drejtoresha Feride Rushiti, tha se qëllimi i publikimit të këtij dokumentimi ka ardhur si pasojë e mungesës së punës dhe dëshirës për këtë grumbullim nga institucionet.
“Është e rëndësishme ky grumbullim pasi institucionet kanë dështuar në grumbullimin e këtyre të dhënave që më vonë pastaj tu shërbejnë edhe gjeneratave të ardhshme që të dinë për të kaluarën e luftës dhe dhunën e bërë”, tha Rushiti.
Këtë dokumentim tashmë mund edhe ta shihni në detaje përmes platformës online në faqen e QKRMT-KRCT.
/RTV-Okarina/