Tahiri: Kurti ikën për fushata zgjedhore në Shqipëri dhe lë vendin pa zgjidhje

 

Abelard Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së,  mbajti sot një konferencë për media në oborrin e Kuvendit të Kosovës ku kishte shprehur shqetësimin për largimin e kryeministrit Albin Kurti dhe anashkalimin e tij nga përgjegjësitë me të cilat po përballohet Kosova.

Në vend që të merret me pandeminë dhe ekonominë e rrënuar prej saj, ai e ka izoluar Kosovën mirëpo vetë ka shkuar në Shqipëri për të marrë pjesë në fushata zgjedhore, është shprehur Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së e ka quajtur këtë mungesë përgjegjësie, mungesë aftësie dhe mungesë njohurie.

 

 

Fatkeqësisht, vetëm në 20 ditët e fundit, 212 qytetarë kanë humbur jetën në betejë me virusin. Përveç një ndihme të vogël, Qeveria nuk ka siguruar asnjë vaksinë. E vetmja gjë që Kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash – ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore”.

 

Kryeministri Kurti është vaksinuar vetë, dhe ai ndihet komod me faktin se i ka pranuar 25 mijë vaksina donacion – një ndihmë kjo e siguruar nga Qeveria e kaluar, por nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar edhe qindra mijëra vaksina të tjera që u duhen më shumë se kurrë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Deklarata e plotë e Abelard Tahirit:

Të nderuar qytetarë të Kosovës

Të nderuar përfaqësues të mediave

Po bëhen tri javë prej se është formuar Qeveria Kurti 2 dhe ajo ende nuk ka dhënë asnjë shenjë se është adresë e qytetarëve, ndërkohë që në këto rrethana pandemie çdo qytetar ka nevojë të llogarisë në Qeverinë e vendit të tij.

Ne po shohim se për këto 20 ditë, kemi pasur Qeveri, por nuk kemi pasur qeverisje dhe as plan për qeverisje.

Kjo flet për mungesë përgjegjësie, mungesë aftësie dhe mungesë njohurie.

Që nga dita kur Albin Kurti është bërë Kryeministër, në Kosovë janë shënuar 14 mijë e 986 raste të reja me Covid-19.

Fatkeqësisht, vetëm në 20 ditët e fundit, 212 qytetarë kanë humbur jetën në betejë me virusin.

Përveç një ndihme të vogël, Qeveria nuk ka siguruar asnjë vaksinë.

E vetmja gjë që Kryeministri Kurti ka ndërmarrë deri më tash – ka qenë një urdhër për izolim për qytetarët e Kosovës, përderisa ministrat dhe deputetët e partisë së tij kanë çarë rrethimin dhe kanë dalë në Shqipëri për të bërë fushatë zgjedhore.

Kryeministri Kurti është vaksinuar vetë, dhe ai ndihet komod me faktin se i ka pranuar 25 mijë vaksina donacion – një ndihmë kjo e siguruar nga Qeveria e kaluar, por nuk ka bërë asnjë hap për të siguruar edhe qindra mijëra vaksina të tjera që u duhen më shumë se kurrë qytetarëve të Kosovës.

Ai është vaksinuar vetë, por ka refuzuar ndihmën e Shqipërisë për të siguruar edhe një numër të konsiderueshëm vaksinash për qytetarët, ndërsa nuk ka treguar se prej ku i pret ndihmat e as vaksinat.

Për fat të keq, Kosova është jo vetëm vendi i fundit në rajon, por është në mesin e vendeve të fundit në botë sa i përket vaksinimit.

Dhe kjo nuk është çështje e thjeshtë, sepse gara për vaksina është garë për të shpëtuar jetë, e jo për të përshtatur teket ditore të një Kryeministri.

\RTV- Okarina\