Tërnava uron myslimanët për muajin e Ramazanit

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka uruar qytetarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, ndërsa ka ftuar të gjithë që të respektojnë masat antiCOVID-19.

Tërnava në një konferencë për media tha se tha se ky muaj është i veçantë për myslimanët, muaj i paqes dhe mirësisë.

“Është muaj që dallohet me ibadet, agjërim e që bëhet vetëm për Krijuesin e Gjithësisë… Agjërimi është njëra ndër pesë shtyllat e besimit tonë”, tha ai, raporton Telegrafi.

Kreu i BIK-ut tha se dimension tjetër i rëndësishëm i Ramazanit është edhe aspekti social, pasi shton përgjegjësinë ndaj shoqërisë, e bën besimtarin më të afërt e solidar.

Duke folur për muajin e Ramazanit në kohë pandemia, Tërnava ftoi qytetarët t’i respektojnë masat antiCOVID-19.

“Është obligim ynë ta ruajmë veten, familjen e shoqërinë nga infektimi. Ju ftoj t’i respektoni masat antiCOVID-19 me shpresë në të madhin Zot që shumë shpejt ta kemi vaksinimin e popullatës dhe ta kalojmë këtë sfidë të kohës…”, tha Tërnava.

Ai po ashtu ftoi qytetarët që gjatë muajit Ramazan ta bëjnë më të mirën e mundshme, me lutje, sadaka e solidaritet.

Ndryshe, muaji i Ramazanit fillon të martën më 13 prill dhe përfundon më 12 maj. Më 13 maj është dita e Fitër Bajramit.