Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) po kërkon nga Qeveria e Kosovës që prioritet ta kenë vaksinimin e mësimdhënësve.
Kreu i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kanë kërkuar nga ministri i Shëndetësisë që ta kenë primare vaksinimin e mësimdhënësve, mirëpo sipas tij, nga përgjigjet që kanë marrë ende nuk është pranuar ndonjë kontingjent i vaksinave.
“Qeveria të mos ta lënë në grupin e dytë por ta vënë në primar vaksinimin edhe në takimin që kishim me ministrin Vitia e kemi hapur këtë çështje dhe ministri Vitia ka thënë se po pret një ardhje të një kontingjenti në emër të donacionit që janë të pranueshëm për Kosovën dhe na ka premtuar se do të bëjë gjithë angazhimet nëse i lejojnë mundësitë dhe kapacitetet te numri i vaksinave që pas të moshuarve siç parashihet me manual ti jepet përparësi punëtorëve në sektorin e arsimit”.
Jasharaj thotë se nuk po kërkojnë vaksinimin vetëm që të jenë të privilegjuar, por që të vazhdojë procesi mësimor në objektet shkollore.
“Këtë kërkesë ne nuk e kemi bërë që të jemi të priveligjuar por mësimdhënësit që të jenë më të mbrojtur me vaksinë dhe me këtë mbrojtje do të ishin më të sigurt dhe procesi mësimorë këtë vit do ta përfundonim në shkolla, pra i mbetet qeverisë dhe mundësive që ka”.
Jasharaj thotë se janë pajtuar me vendimin e qeverisë që mësimdhënësit mos të vaksinohen në Shqipëri.
Por e siç thotë ai se vaksinimi në Shqipëri do të ishte i vështirë pasi që vetëm në arsimin para universitar janë të angazhuar rreth 30 mijë mësimdhënës.
E sa i përket kompensimit të orëve të humbura gjatë këtij viti shkollor, ai ka thënë se janë shtatë ditë, por që kjo është në dorën e drejtorive komunale të Arsimit se si do t’i kompensojnë.
“Këtij viti shkollor ia kemi borxh shtatë ditë pune, të cilat ju është mbetur nivelit komunal, drejtorive arsimore që ta bëjnë një plan dhe të gjithë jemi pajtuar se duhet mbajtur shtatë ditë pune shtesë dhe ka ide që të punohet disa të shtuna dhe ka ide që fundi i vitit të zgjatet për disa ditë”.
/RTV-Okarina/