540 të dyshuar për vepra penale për një javë në Shqipëri

Policia e Shqipërisë kishte shumë punë në javën e fundit, ku kanë bërë bilancin e punës gjatë javës.

Autoritetet shqiptare njoftojnë se janë sekuestruar kokainë, kanabis, arsenal armësh, punishte për modifikimin e armëve, bimë narkotike, mallra kontrabandë dhe asete të paligjshme.

Si rezultat i angazhimit dhe profesionalizmit maksimal të strukturave të Policisë së Shqipërisë, në një javë, u finalizuan me sukses 2 megaoperacione policore:

Operacioni “Silent”, i zhvilluar nga DVP Tiranë, gjatë të cilit është zbuluar një bazë ku prodhoheshin silenciatorë dhe modifikoheshin armët e zjarrit. Në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan arsenal armësh të llojeve pistoletë e kallashnikov, silenciatorë, municion luftarak, pjesë të ndryshme armësh, etj.

Operacioni “Tranziti”, gjatë të cilit u sekuestruan 45.5 kg lëndë narkotike kokainë në një kontenier, në Portin e Durrësit, dhe u vunë në pranga 2 shtetas.

Gjithashtu, nga Policia e Korçës është zbardhur vrasja e një 26-vjeçari dhe janë vënë në pranga 3 autorët e dyshuar të vrasjes.

Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 540 persona, nga këta: 151 janë arrestuar, 367 janë proceduar penalisht dhe 22 janë shpallur në kërkim.

Janë kapur në total 30 persona në kërkim, nga të cilët: 28 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar.