Çmimet e produkteve ushqimore, përfshirë edhe atyre më bazike janë rritur së fundmi në vend. Për këtë qytetarë të shumtë janë ankuar te Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Nga kjo e fundit fajësojnë qeverinë për gjendjen e krijuar.
50 centë do t’i kushtojë qytetarëve nga sot buka në komunën e Pejës, nga 40 sa ishte deri tani. E më shtrenjtë po u kushtojnë edhe produktet tjera, shumë prej të cilave bazike.
Mbi 1 euro e 50 cent qytetarëve po u kushton vetëm një shishe vaj, e rreth 90 cent një litër qumësht.
Më shtrenjtë qytetarëve po u kushtojnë edhe djathi, vezët, perimet, sheqeri, ëmbëlsirat e produktet tjera.
Kështu së paku thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Në statistikat e paraqitura nga kjo Agjenci, shihet se në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit janë rritur çmimet për disa produkte.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.5%); mish (1.9%); qumësht, djathë dhe vezë (7.7%); vajra dhe yndyrëra ushqimore (28.2%); perime (19.7%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2.1%); pijet alkoolike (3.8%); duhan (2.7%)”, bëhet e ditur nga ASK.
E rritja e çmimeve ka ngjallur pakënaqësi te qytetarët.
Kryetari i organizatës “Konsumatori” Selatin Kaçaniku ka thënë se kanë pranuar ankesa nga qytetarët në lidhje me ngritjen e çmimeve.
Ai është shprehur se numri më i madh i qytetarëve që kanë ankesa heshtin për shkak se nuk besojnë që institucionet do të ndërmarrin ndonjë veprim.
“Ankesa ka, qofshin ato të drejtpërdrejta qofshin ato që po vinë nëpërmes rrjeteve sociale dhe mjeteve të informimit, por numri më i madh i ankesave është në heshtje, që do të thotë se qytetari konsumator nuk pret zgjedhje dhe nuk beson në asnjë institucion që do të bëjë diçka”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se qeveria po hesht sa i përket gjendjes së krijuar dhe se po u arsyetohet se rregullatori i çmimeve është tregu.
“Qytetari konsumator dhe familja konsumatore taksapaguese është financuese e shtetit dhe natyrisht se rriten shpenzimet edhe të qytetarët konsumatorë ndërsa qeveria heshtë dhe arsyetohet se rregullatori i çmimeve është tregu. Ne si organizatë e kemi thënë se nëse do të kishte treg do të kishte edhe reagim adekuat të tregut, nëse nuk ka treg atëherë qeveria duhet të tregojë pse nuk reagon tregu, ose ku e sheh ajo tregun. Në tregun e mirëfilltë po të ekzistonte, qytetarit konsumator do t’i jepej mundësia, do t‘i njihej e drejta kushtetuese për matjen e cilësisë së mallrave”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, ngritja e çmimeve për karburante dhe energji elektrike ka ndikuar edhe në ngritjen e çmimeve në produkte tjera. E siç shton ai, për këtë gjë do të duhej të mendohej me kohë.
Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj ka thënë se rritja e çmimeve ka qenë gjë e pritshme, për shkak që, sipas tij, bizneset nuk kanë marrë përkrahjen e merituar nga ana e qeverisë.
Sipas tij, kriza do të thellohet edhe më shumë për shkak se do të varfërohet shporta e konsumit te qytetarët.
“Bizneset nuk morën përkrahjen e merituar nga qeveria për rimëkëmbje ekonomike kështu që janë detyruar që të marrin këto veprime në parim jo të mira por biznesi është i orientuar nga fitimi përndryshe nuk mund të ekzistoj, pra bizneset nuk janë shoqata humanitare. Barra i bie qeverisë që nuk i ka përfillur kërkesat e bizneseve njëherit edhe thirrjen e vazhdueshme nga njohësit e ekonomisë duke u sjellur komod si një qeveri e shumicës. Për fat jo të mirë kriza do të thellohet edhe më shumë sepse do të varfërohet shporta e konsumit tek qytetarët dhe do të ngritët pakënaqësi dhe kjo e bënë edhe më të rëndë perspektivën në vend kjo do jetë edhe një shtytje për të ikur nga vendi”, ka thënë ai. RTV OKARINA