48 orë burg për zyrtarin policor që dyshohet së vrau vëllain e tij

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se më 07.05.2022, prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është njoftuar nga policia për të shtëna me armë zjarri në fshatin Gushtericë të Graçanicës. E njëjta i është përgjigjur vendit të ngjarjes me njësitë e tjera relevante, ku në vendin e ngjarjes ekipi mjekësor ka konstatuar se një person ka mbetur pa shenja jete, si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri.

Me urdhër të prokurores është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personi me inicialet M.Sh., (zyrtar policor), në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 të KPRK-së, pasi dyshohet se i njëjti ka privuar nga jeta tani të ndjerin D.Sh., (vëllain e tij), ndërsa trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me policinë dhe IPK-në, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të ndriçimit të gjitha rrethanave në këtë çështje penale.

Po ashtu, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, ndaj të dyshuarit do të ushtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale, në gjykatën kompetente.​