Të paktën 823 pacientë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.
Marramendje e të vjella i kapluan edhe gjashtë anëtarë të familjes Lushaj nga fshati Shaptej në Deçan të dielën, më 11 korrik.
Shkumbin Lushaj thotë se uji në rubinetin e shtëpisë, që furnizohet nga ujësjellësi, nuk është i pastër tash e një javë, ndërsa që nga dita e shtunë, kanë vërejtur simptoma të lehta të helmimit.
“Kemi që disa ditë që uji nuk po vije normalisht i pastër, por është i turbulluar. Të shtunën në mbrëmje filluan disa prej simptomave, por nuk i mora si serioze. Ndërsa të dielën filloi marramendja, vjellja, diarreja… të cilat përveç meje i prekën edhe të gjithë anëtarët e familjes time”, tha Lushaj.
Lushaj është njëri ndër qindra banorë të disa fshatrave në Deçan, që përjetuan simptoma të ngjashme, duke ngritur alarmin te stafi mjekësor në QKMF.
Edhe Zenel Kadrijaj nga fshati Rastavicë, tregoi se ditëve të fundit, kishin vërejtur ndryshime në dukjen e ujit të pijes.
Kadrijaj tha se bashkëshortja dhe vajza e tij përjetuan simptoma më të rënda nga helmimi.
Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan që nga dita e shtunë, ngrehu alarmin për numër të pazakontë të pacientëve, me simptoma të ngjashme.
Drejtori i kësaj qendre, Selmon Berisha tha se pasi e kishin lajmëruar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ata erdhën dhe morën mostrat e ujit për të bërë analizën kimike dhe biologjike.
“Analizat kimike ka rezultuar në rregull ndërsa analizat biologjike janë në përpunim e sipër. Po ashtu, gjatë gjithë kohës e kemi angazhuar laboratorin tonë dhe analizat e pacientëve rezultojnë që janë helmime bakteriologjike”, tha ai.
Deri sa rezultatet e analizave të fundit të këtij uji nuk kanë dalë ende, që nga e diela në mbrëmje, ujësjellësi rajonal “Hidrodrini” ka bërë ndërprerjen e furnizimit me ujë në zonat e dyshuara për helmim masiv.
Ndërkaq, drejtori Berisha tha se në koordinim edhe me organet e komunës, janë duke shqyrtuar të bëjnë apel që në të gjithë Deçanin të mos pihet uji deri sa të kuptohet nëse uji është shkaktar i helmimit.
Ujësjellësi “Hidrodrini” ka bërë apel për kujdes, por duke thënë se “deri në arritjen e rezultateve, nuk mund të konstatohet asgjë në zbardhjen e dyshimeve për ujë të helmuar ose jo”.
Zyrtarë të Komunës së Deçanit nuk i janë përgjigjur thirrjeve të deritanishme për koment lidhur me këtë çështje.
\RTV-Okarina\