Shqipëria ka gati ligjin për legalizimin e kanabisit

Kanabisi

 

Qeveria e Shqipërisë ka nxjerr në konsultim publik projektligjin për legalizimin e kanabisit mjekësor në vend.

Kjo u bë tre muaj pas publikimit të rezultateve nga Këshillimi Kombëtar.

Drafti parashikon krijimin e një agjencie në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë e cila do të rregullojë këtë aktivitet dhe sipas ligjit licenca për operatorët që do të kultivojnë kanabis për përdorim mjekësor do të jetë 15 vjeçare me të drejtë rinovimi.

Licenca miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar mbi procedurën përzgjedhëse, të organizuar nga Agjencia.

Sipas tyre, sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar.

Po kështu në ligj thuhet se licenca jepet vetëm në sipërfaqe të mbuluara ose serë apo sipërfaqe të hapura të cilat nuk mund të jenë më të vogla se 5 hektarë dhe jo më të mëdha se 10 hektarë.

Çdo kompani që aplikon për licencë duhet të ketë eksperiencë në fushën e kanabisit mjekësor dhe aksioneri që do të ketë 51% të kuotave duhet të zotërojë licencë nga Agjencia e Barnave Europiane ose ajo amerikane, të ketë një kapital prej 100 milionë Lekësh, minimumi 15 të punësuar dhe pagesën e një tarife vjetore, sa 1,5% e xhiros vjetore.

Pyetësorit për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore iu përgjigjën rreth 507 mijë qytetarë, nga të cilët 308 mijë votuan pro, 148 mijë kundër dhe 51 mijë nuk shpreh mendim.