Ishte 2 prilli i vitit 1999, dita kur në fshatin Kralan të komunës së Gjakovës forcat ushtarake dhe policore serbe veçuan disa qindra djem dhe burra nga grupi prej 1.500 shqiptarëve, të cilët kishin braktisur vatrat për t’u shpëtuar krimeve serbe që kishin përfshirë tërë Kosovën. Të tjerët – gra, fëmijë dhe pleq, ishin urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri.
Dy ditë më vonë, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës i rrethuar me tanke pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 djem të rinj, ndër të cilët edhe 11 të mitur. Që nga ajo ditë askush nga ta më nuk është parë i gjallë.
Fondi për të Drejtën Humanitare në vitin 2013 kishte bërë kallëzim penal ndaj disa eprorëve të Ushtrisë jugosllave për krimin në Kralan. Me këtë rast, u njoftua se trupat e 18 prej atyre djemve dhe burrave të ndaluar janë gjetur në një varrezë masive në Serbi, në varrezën e cila është gjetur pranë liqenit të Peruçës, në komunën e Bajina Bashtës.
Fondi, në bazë të deklaratave të dhjetëra dëshmitarëve ka identifikuar gjashtë eprorë të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët kanë qenë në pozitat më të larta të njësive që dyshohen se kanë kryer krimet.
Lidhur me krimin serb të kryer në Kralan, në dhjetor të vitit 2014 një letër kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës i ka dërguar kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa” Arifete Bytyqi.
Në emër të familjarëve të 86 viktimave të masakrës, Bytyqi kërkon nga Serge Bramnertz që “të hetohet vrasja e 86 civilëve shqiptarë nga policia serbe më 4 prill 1999 në fshatin Kralan”.
Bytyqi në letrën e vet përkujton se edhe sot e kësaj dite askush nga fajtorët për masakrën nuk është dërguar para drejtësisë.
\RTV-Okarina\