Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), sot ka shqyrtuar dhe vendosur lidhur me 10 ankesa për thyerjen e heshtjes zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve.
Sipas PZAP-së, ankesat janë paraqitur nga individ, subjekte politike, kandidatë për deputet, organizata, anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, etj.
Nga 10 ankesat e shqyrtuara, Paneli ka vendosur që t’i pranojë si të bazuara 2 ankesa, 1 ankesë e ka refuzuar si të pabazuara, 2 ankesa i ka hedhur si të palejuara, dhe 5 ankesa i ka hedhur si të pasafatshme.
PZAP për shkak të mosrespektimit të Kodit të Mirësjelljes, nga ana e subjekteve politike, Mbështetësve dhe përkrahësve të tyre, gjatë fushatës së zgjedhjeve dhe thyerjen e heshtjes zgjedhore në ditën e heshtjes zgjedhore si dhe në ditën e zgjedhjeve, ndaj tyre ka shqiptuar gjoba në shumën totale prej: 216,350.00 euro.
Sipas njoftimit partia e cila prin me gjobën më të lartë është PDK-ja me 66 mijë e 100 euro, pasuar nga AAK-ja me 52 mijë e 750 euro. E treta renditet LVV-ja me 44 mijë e 700 euro dhe LDK-ja me 28 mijë e 600 euro.