Qeveria e Kosovës në mbledhje e mbajtur në formë elektronike gjatë ditës së sotme ka marrë vendimin, që të alokojë mjete financiare në vlerë prej 2 milionë e tetëqind mijë eurosh për Radiotelevizionin e Kosovës.
Kjo ndarje do të bëhet për periudhën janar-mars 2021.
“Kjo shumë për RTK-në do të jetë subjekt i rishikimit nga Komisioni përkatës për buxhet dhe transfere në Kuvendin e Republikës së Kosovës, menjëherë pas themelimit të tij. Nëse ky komision konsideron se këto ndarje nuk janë të pranueshme, obligohet Thesari i Republikës së Kosovës që të bëjë ndalesën dhe të kompensojë këtë shumë nga tremujorët vijues, me qëllim që vetëm shuma e aprovuar nga komisioni të mund të shpenzohet dhe arsyetohet brenda vitit fiskal 2021 nga RTK-ja”, theksohet në komunikatën e dërguar nga Zyra e kryeministrit.