13,726 raste aktive me coronavirus në Kosovë

 

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 87.981 raste nga 414.902 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.840 raste të vdekjes.

IKSHPK njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 602 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 72.415 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.726.

Ndryshe, mbrëmë ka arritur në Kosovë kontingjenti i parë i vaksinave kundër coronavirusit.

Bëhet fjalë për 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.

 

 

Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Vaksina e kompanisë britanike AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, thuhet se është 76 për qind efektive kundër sëmundjes COVID-19.

Bashkimi Evropian po ashtu ka premtuar se do të sjellë në Kosovë vaksina kundër sëmundjes COVID-19.

Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër coronavirusit.

\RTV-Okarina\