Vajza e Hamëz Jasharit, Besarta, nderohet me titullin “Ambasadore e Paqes”

Vajza e heroit Hamëz Jasharit, Besarta Jashari, dje është nderuar me titullin “Ambasadore e Paqes” nga Federata Universale e Paqes.

Vëllai i saj, Bekimi përmes një postimi ka shkruar se Besarta në rrugëtimin e saj për të zbardhur të vërtetën se çfarë ka ndodhur në vendin tonë, do ta ketë përkrahjen e tij.

Postimi i plotë:

Si një dëshmitare e gjithë luftës, sakrificës dhe heroizmit të familjes, motra ime Besarta dje ka marrë titullin “Ambasadore e Paqes” nga Federata Universale e Paqes në aktivitetin e mbajtur në Kosovë me temë ”Gratë, themel i paqes së qëndrueshme”, ku përveç Besartes janë emëruar ambasadore të paqes edhe gra tjera që në një apo formë tjetër kanë kontribuar për vendin dhe tani me aktivitetin e tyre do të vazhdojnë të kontribuojnë në rritjen e paqes në vend dhe kudo në botë.

Besarta këtë vit ishte edhe në Senatin Amerikan për të rrëfyer krimet serbe në Kosovë dhe kështu gjithë atë çka kanë perjetuar gratë dhe populli ynë do të vazhdojë ta prezantojë çdokund duke kërkuar drejtësi për viktimat dhe dënim meritor për kriminelët që edhe sot fatkeqësisht po e mbajnë peng paqen në ballkan.