U nisën nga Prishtina me biçikletë për në Hagë

U nisën nga Prishtina drejt Italisë dhe me biçikletat e tyre ia mësynë edhe Hagës, në një rrugëtim sensibilizues afër 20-ditor, por edhe sfidues, me të vetmin qëllim që t’i shohin ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Më 31 gusht të këtij viti, Blerim Peja dhe Ibrahim Shabi, u nisën për në Hagë nga Prishtina. Por, udhëtimi i tyre është ndryshe. Ata këtë udhëtim po e bëjnë me biçikleta, shkruan Demokracia.
Është Blerim Peja, ai që po publikon fotografi në rrjetin social Facebook, ku po e tregon për rrugëtimin e tyre.
Aktualisht, Blerimi dhe Ibrahimi janë ende në territorin e Italisë dhe udhëtimin e tyre po e vazhdojnë drejt Hagës për t’i takuar ish-krerët e UÇK-së.
Gjatë gjithë kohës, dyshja ka të veshur një jelek me emblemën e UÇK-së në kraharor dhe në anën tjetër një mbishkrim “Lironi çlirimtarët!”, me fotografitë e gjithë atyre që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Në ditën e nisjes, Peja dhe Shabi kishin deklaruar se e ndjejnë obligim që t’i përkrahin ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.