Vetëm një ditë pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, Ushtruesja në detyrë e Presidentes, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Kuvendit të Izraelit, Yariv Levin.
Osmani e ka falënderuar Levin për vendimin e shtetit të tij për ta njohur shtetin e Kosovës, duke shfaqur shpresën se hapja e këtij kapitulli të ri do të jetë mundësi e mirë për intensifikimin e marrëdhënieve në shumë sfera.
Në këtë kontekst, marrëdhëniet me Izraelin i ka konsideruar të rëndësisë strategjike. Mes tjerash Osmani ka thënë se shteti i Kosovës me njohjen nga Izraeli e ka forcuar edhe më tej pozicionin ndërkombëtar, teksa ka shfaqur shpresën se veprimin e këtij shteti ta ndjekin edhe shtetet e tjera mosnjohëse.
“Antisemitizmi nuk ka gjetur vend në Kosovë. Në këtë plan ne do të punojmë edhe me rininë kosovare lidhur me edukimin e tyre për luftën kundër antisemitizmit”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Izraelit, Yariv Levin, në fund të bisedës telefonike e ka ftuar Osmanin për një vizitë në Izrael në një kohë të përshtatshme për të dy palët.
/RTV-Okarina/