Lajçak, si përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të ndodhë brenda disa javësh.
“Mendoj se takimin e parë mund ta presim shumë shpejt, pa shtyrje të panevojshme. Kosova ashtu siç jemi marrë vesh edhe me Albin Kurtin duhet të përfundojë me krijimin e institucioneve. Ka mbetur tani edhe zgjedhja e presidentit dhe përgatitja e ekipit të ri. Pas kësaj, presim që ata të jenë të gatshëm. Ai [Kurti] më ka thënë se është i gatshëm të vijë në Bruksel për t’u takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq. Vuçiq më ka thënë se është i gatshëm të vijë kurdo që të ftohet”.
Ai, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se është inkurajuar nga vizita e fundit në Prishtinë dhe Beograd ku, siç shprehet, ka marrë garanci se udhëheqësit janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun.
Me Kurtin në krye të delegacionit të Kosovës, Lajçak beson se ekziston një situatë e re, sepse, sipas tij, të dy bartësit e dialogut tani kanë mandat shumë të fuqishëm.
Të premten e kaluar, Këshilli Evropian ka zgjatur mandatin e Lajçakut deri në gusht të vitit 2022.
“Të premten e kaluar, Këshilli Evropian ma ka zgjatur mandatin deri në fund të gushtit të vitit 2022, pra për 17 muaj. Prandaj, mendoj se kemi kohë të mjaftueshme për një punë serioze”, ka thënë Lajçak.
/RTV-Okarina/