Jusuf Azemi, Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, ka thënë se kanë bërë kërkesë për një takim me kryeministrin Albin Kurti.
Ky takim, nga Jusufi pritet që të ndodh javën e ardhshme. Sipas tij, Qeveria Kurti ka premtuar 350 euro pagë për punëtorët e sektorit privat, e Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat pret që ky vendim të nënshkruhet më 1 maj.
“Ne zyrtarisht kemi bërë kërkesë për takim. Unë e kuptoj që kryeministri vetëm sa ka ardhur dhe nuk do të jemi prioritet ne po shpresojmë që javën e ardhshme do të ulemi të bisedojmë. Ne gjithherë po thirremi në atë që kryeministri i Kosovës vitin e kaluar ka premtuar që paga e punëtorëve të sektorit privat të jetë 350 euro”.
“Andaj unë e inkurajojë kryeministrin e Kosovës që ndoshta do të jetë një ditë simbolike që kjo pagë të nënshkruhet me datën 1 maj që do të jetë edhe dita e punëtorëve që këtyre punëtorëve të iu japë fuqi dhe vullnet për punën që janë duke bërë”.
Sipas Azemit, rënia e rasteve te të infektuarve jep sinjal se Kosova është duke shkuar në rrugë të mbarë.
Tutje, ai theksoi që punëtorët e sektorit privat po e paguajnë faturën e atyre të cilët po luftojnë për pushtet.
“Pikërisht tash kur filluan edhe rastet të bien shifra nga 1 000 të infektuar të bie në 400 të jep një sinjal se jemi duke shkuar në rrugë të mbarë dhe pikërisht po kjo qeveri e sjelli gjendjen deri tash. Tani ne po e paguajmë faturën e njerëzve të cilët luftojnë për pushtet”, tha Azemi.
/RTV-Okarina/