Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, gjysmëvjetorin e dytë shkollor 2020/2021 do ta vazhdojnë fizikisht në shkolla, thotë ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj. Megjithatë, mësimdhënësit kanë kërkesa në mënyrë që mësimi të vazhdojë në kohën e paraparë.
Ministri në detyrë, Likaj në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk ka ndonjë vendim të ri, kështu që mësimi do të vazhdojë sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), për ruajtjen e shëndetit të nxënësve në shkolla. Në këtë udhëzim thuhet se shkollat duhet të sigurojnë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.
Përgatitjet për vazhdimin e mësimit, sipas Likajt, tashmë kanë filluar dhe shumica e shkollave janë dezinfektuar.
Edhe udhëheqës të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë(SBASHK), pohojnë se gjysmëvjetori i dytë duhet të fillojë në objektet shkollore. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, tha se pajtim më Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës është vendosur që mësimi të vazhdojë në shkolla më 18 janar.
Por, Rrahman Jasharaj thotë se mësimdhënësit kanë kërkesa në mënyrë që të vazhdojë mësimi në kohën e paraparë. SBASHK-u kërkon nga Qeveria në detyrë e Kosovës, që të ndajë mjete shtesë prej 100 euro në paga për gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit për muajt tetor, nëntor e dhjetor vitit të kaluar, për të vazhduar edhe në vitin e ardhshëm për gjithë kohën sa zgjat pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.
Kjo kërkesë sipas tij, është për shkak se mësimdhënësit janë të rrezikuar nga infektimi me koronavirus. Sipas SBASHK-ut, në pjesën e parë të vitit shkollor, vetëm në intervalin kohor 11 nëntor –14 dhjetor të vitit të kaluar, 2,301 punëtorë të arsimit janë infektuar me koronavirus.
Mësimi nga bankat shkollore po preferohet edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës. Ymret Reshiti nga ky Këshill, thotë se mësimi në distancë, i imponuar nga masat që u morën për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, nuk arriti të realizojë objektivat e duhura.
Numri i përgjithshëm i mësimdhënëseve në nivel vendi është mbi 23 mijë, por me stafin tjetër të angazhuar, numri arrin në 28 mijë.
/RTV-OKARINA