“Mashtrimi” i madh me banesa në Skenderaj, pushteti aktual mundohet të përmirësojë shkeljet e bëra në 2009

Me propozim të Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura dhe me mbeshtetjen e asambleistëve të PDK-së, Kuvendi Komunal ka marrë vendim që të ndryshojë kontraten me kompaninë “Rukolli” të cilës në 2009 ia kishin dhënë pronën në shfrytëzim për 40 vite për të mos paguar shumë para në këmbim të marrjes së pronës me qera. Në këtë rast kompania banesat e ndërtuara ua ka shitur siç duket qytetarëve pa ju treguar që ata këto banesa nuk munden t’i regjistrojnë.
Shkeljeve potenciale të asaj kohe iu ka dalur boja tani kur qytetaret nuk po munden të regjistrojnë banesat e tyre të blera nga kompania “Rukolli” dhe për këtë arsye pushteti aktual po tenton që përmes një vendimi të jashtëligjshëm të mbulojë, legjitimoj, legalizoj dhe përmirësoj një shkelje siç duket të qëllimshme të tyre në vitin 2009 duke marrë tani vendim që nga 40 vjet të rritet jetëgjatësia e kontrates nga 40 në 99 vite.
Kjo shkurt i bie që pronën e komunës kompania në fjalë e ka marrë shumë më lirë në shfrytëzim në 2009 sepse ka paguar para vetëm për 40 vite kurse tani po duan ta rrisin në 99 vite periudhën e dhënies së pronës komunale në shfrytëzim pa paguar para shtesë në këmbim të pronës.
Këto janë të gjeturat që ka bërë Lista “Ideal”  e cila ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë këtë rast.
Reagimi i plotë i Listes “Ideal”:
Qeverisja Nura vazhdon të keqpërdorë pronën komunale, merr vendim që favorizon kompaninë “Rukolli”
Në mbledhjen e rregullt të Kuvendit Komunal të Skenderajt, qeverisja Nura- Lushtaku kanë futur në rend dite për votim propozim vendimin që kompanisë të afërm me partinë në pushtet lokal ti zgjatet jashtëligjshëm kontrata e marrjes së pronës në shfrytëzim nga 40 vite sa ishte dhënë vite me parë për ndërtim banesor, në 99 vite. Për këtë arsye asambleistët e listës kanë lëshuar mbledhjen por që fatkeqësisht pozita prap ka vendosur që të shkel legjislacionin aktual.
Bazuar në shkeljet e bëra Lista e Pavarur “Ideal” kundërshton fuqishëm një vendim të tillë që dëmton interesin e komunës dhe të qytetarëve dhe favorizon një kompani private e cila vitin e kaluar kishte tentuar që hapësirën e dedikuar për parking publik ta bëjë me pagesë, e që ishte ndaluar nga qeverisja Jashari. Bëhet fjalë për parkingun tek çerdhja “Nëna Zahide”.
E gjithë kjo histori fillon në vitin 2009 kur pushteti i asaj kohe ia kishte dhënë pronën komunale në shfrytëzim kompanisë “Rukolli”, për ndërtim banesor dhe afarist në këmbim të marrjes së 21% të investimit total, përqindje kjo për të cilën nuk janë paraqitur fare fakte që komuna ka marrë përqindje fitimi në atë kohë nga investitori. Për më tepër pushteti aktual tani dëshiron që pronën e dhënë në shfrytëzim, vite me parë për 40 vite tani të merrë në shfrytëzim edhe për 59 vite shtesë.
Për më tepër lista jonë ka dyshime edhe në menyrën se si është dhënë proceduralisht në vitin 2009 prona komunale në fjalë duke marrë parasysh që mungon dëshmia që përfituesi ka kryer obligimet ndaj komunës në vlerën e 21% të investimit total, gjithashtu mungon raporti i komisionit që ka bërë pranimin teknik të objektit të ndërtuar në prone komunale. Po ashtu vlen të përmendim që për pronën në fjalë pushteti i njejtë edhe një herë ia kishte rritur kompanisë në fjalë vitet e shfrytëzimit të pronës e që i bie që të jetë hera e dytë që kompanisë në fjalë jashtëligjshëm i bëhen favorizime.
Bazuar në gjithë këtë Lista “Ideal” i bënë thirrje pushtetit aktual në Skenderaj që të ndalen së vepruari me logjikën e tyre të vjetër por t’i përmbahen ligjeve dhe udhëzimeve administrative të shtetit tonë dhe njëherit të vëjnë në rend të parë interesin qytetar para interesave të tyre individuale e grupore.
Lista “Ideal” do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat ligjor për të kundërshtuar dhe ndaluar veprimet e tilla të dëmshme për komunën tonë duke kërkuar nga Ministria që me çdo kusht ky vendim të anulohet kurse nga Prokuroria që të hetohet.